KURSI I KEMBIMIT VALUTOR 01.12.2020

CHF BLIHET 110.26 SHITET 118.26

EUR BLIHET 120.81 SHITET 126.81

GBP BLIHET 134.12 SHITET 142.12

USD BLIHET 100.51 SHITET 106.51

Përballë pandemisë globale, MIGA përkrah angazhimin e “Alpha Bank Albania” për të mbështetur ndërmarrjet vendase
10/7/2020

Mbështetja e MIGA-s ul riskun e lidhur me fondet e detyrueshme rezervë të mbajtura pranë bankës qendrore

MIGA, institucion anëtar i Grupit të Bankës Botërore, i ka lëshuar një garanci bankës “Alpha Bank A.E.” të Greqisë (ABG) e cila mbulon deri në 47,5 milionë € të investimit të saj në filialin shqiptar “Alpha Bank Albania SHA”. Garancia e MIGA-s do të mbulojë rezervat e detyrueshme të “Alpha Bank Albania” (ABA) të mbajtura pranë Bankës së Shqipërisë nga risku i shpronësimit të fondeve dhe do të mbështetë operacionet huadhënëse të ABA-së, në një kohë vështirësie të konsiderueshme të lindur nga pandemia e COVID-19. Një pjesë e konsiderueshme e huadhënies së mbështetur nga garancia e MIGA-s do të shkojë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), që janë edhe faktori shtytës i rritjes ekonomike dhe burim kryesor i punësimit në Shqipëri.

Pandemia e COVID-19 e ka prekur në thellësi ekonominë shqiptare dhe për pasojë qeveria ka parashikuar se vlerësimet për rritjen ekonomike në vend për vitin 2020 mund të përgjysmohen. Garancia e MIGA-s do ta rritë kapacitetin e ABA-s për huadhënie brenda kufijve të riskut dhe do ta mbështetë aftësinë e kësaj banke për të dhënë kredi, duke ndihmuar kështu në mbajtjen e veprimtarisë ekonomike, punësimit dhe vendeve të punës në Shqipëri. Rritja e mundësisë për kredidhënie është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke qenë se Shqipëria ka një raport të ulët kredi private/PBB prej 36,5 për qind në dhjetor 2019.
“Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme janë faktorë kyç për rritjen dhe burimi më i rëndësishëm i punësimit për Shqipërinë”- tha Nënpresidenti Ekzekutiv i MIGA-s, Hiroshi Matano. “Garancia e MIGA-s do ta mbështetë ndjeshëm aftësinë e ABA-s për të vijuar t’u japë kredi klientëve- përfshirë NMVM-të- në një kohë vështirësie dhe pasigurie të rritur.”

Mbulimi i MIGA-s do ta mbështetë ABG-në duke çliruar kapacitet huadhënës brenda kufijve të riskut të këtij grupi, në një kohë me rëndësi kritike për ekonominë e Shqipërisë. Produkti i optimizimit të kapitalit i MIGA-s është veçanërisht i rëndësishëm për t’i dhënë mundësi ABG-së ta rritë më tej kapitalin në dispozicion të mbështetjes së ekonomisë shqiptare nëpërmjet vijimit të huadhënies, duke respektuar ndërkohë rregullat e vendosura nga Banka e Shqipërisë.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e bazës së ekonomisë shqiptare dhe sigurojnë katër të pestat e vendeve të punës gjithsej,” tha zoti Georgios Papanastasiou, Drejtor i Përgjithshëm i ABA-s. “Nëpërmjet punës sonë me MIGA-n do të mund t’u japim financim një numri më të madh biznesesh dhe sipërmarrësish dhe të sigurojmë një prosperitet më të madh për shqiptarët gjatë kësaj pandemie të paprecedentë.”

“Alpha Bank Albania SHA” është themeluar në vitin 1998 si filial 100 për qind në pronësi të shoqërisë “Alpha Bank A.E.” të Greqisë. Në Shqipëri, ABA është banka e gjashtë për nga vlera e aktiveve (644,8 milionë € ose 5,3 për qind të aktiveve gjithsej të sistemit), me një rrjet prej 33 degësh, me thuajse 293.000 klientë dhe me 418 punonjës.

MIGA është krijuar në vitin 1988 si organizatë anëtare e Grupit të Bankës Botërore për të nxitur investimet e huaja të drejtpërdrejta në ekonomitë e reja duke ndihmuar në zbutjen e risqeve të kufizimeve mbi konvertimin dhe transferimin e valutave, risqeve të shkeljes së kontratave nga qeveritë, shpronësimit dhe luftës dhe trazirave civile, si edhe duke ofruar forcim kredie për investitorët dhe huadhënësit privatë.

Që prej krijimit të saj, MIGA ka dhënë mbi 55 miliardë $ garanci në 115 vende në zhvillim.

Grupi i Bankës Botërore, një prej burimeve më të mëdha të financimit dhe dijeve për vendet në zhvillim, po ndërmerr masa të gjerësishme e të shpejta për t’i ndihmuar vendet në zhvillim ta fuqizojnë kundërpërgjigjen e tyre ndaj pandemisë. Mbështetim ndërhyrje në fushën e shëndetit publik, punojmë për të siguruar qarkullimin e materialeve dhe pajisjeve jetike dhe ndihmojmë sektorin privat për të vijuar ushtrimin e aktivitetit dhe për të ruajtur vendet e punës. Do të mobilizojmë deri në 160 miliardë $ gjatë 15 muajve në vijim, për të ndihmuar më shumë se 100 vende të mbrojnë shtresat e varfra dhe të cenueshme, të mbështetin bizneset dhe të intensifikojnë rimëkëmbjen ekonomike. Këtu përfshihen edhe 50 miliardë $ burime të reja të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim në formë grantesh dhe huash me kushte tejet të buta.
Kthehuni